Emigrantët shqiptarë me të drejtë vote në Britaninë e Madhe do t’ja besojnë votën e tyre partisë Laboriste.
Ky është përfundimi një sondazhi disajavor të realizuar nga gazeta e komunitetit “The Albanian”.
“Shqiptarët e Britanisë nuk e “tradhëtojnë” Toni Blerin”. Ky është kryeartikulli i kësaj gazete në të cilën publikohen rezultatet e sondazhit zhvilluar në komunitetin shqiptar në Britani.
67% e të anketuarve kanë deklaruar votën e tyre pro Laboristëve duke treguar edhe arsyet përse vota e tyre shkon tek kjo parti.
Sipas ‘The Albanian’ shqiptarët do të votojnë laboristët pasi ata ishin një forcë e madhe mbështetëse për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Mikpritja e mijëra shqiptarëve gjatë konfliktit të Kosovës dhe amisitia ku fituan leje qëndrimi më shumë 50 mijë familje shqiptare është një tjetër arsye e fortë për të votuar Laboristët.
Ndërsa 17% e të anketuarve kanë shprehur votën e tyre pro Konservatorëve duke e argumentuar me faktin se Laburistët janë konsumuar tashmë dhe se Britanisë i duhet ndryshimi.
Po ashtu kjo kategori e të anketuarve pro konservatorë mendojnë që programi i tyre do të bëjë të mundur ringritjen e fuqishme të ekonomisë britanike. Nuk mungojnë shqiptaro-britanikët të cilër simpatizojnë Liberal Demokratët.
14% e të anketuarve që do të marrin pjesë në këto votime , besojnë se Liberal Demokratët janë alternativa më e mirë për Britaninë e Madhe. Ata e cilësojnë Nick Clegg si Obama britanik dhe një politikan i cili do të bëjë një revolucion në politikën britanike.
“Vërehet me shqetësim se shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë plotësisht të angazhuar për të ushtruar obligimin e tyre civil e qytetar per te votuar. Asnjë prej shoqatave të shumta të emigrantëve nuk ka lobuar për njërën ose tjetrën parti” shkruhet në gazetën ‘The Albanian’.
Top Channel