Besian Idrizaj është shprehur i gatshëm të bëhet pjesë e Kombëtares shqiptare. Sulmuesi, i cili ka qenë pjesë e Liverpulit, e që tashmë militon në Çempionshipin anglez (kategoria e dytë) me Suansi Sitin, ka pranuar të bëhet pjesë e skuadrës për eliminatoret e Euro 2012.
Sot në Federatën e Futbollit do të zhvillohet një bisedë ndërmjet krerëve të këtij institucioni dhe njerëzve që kanë hyrë si ndërmjetës që kjo dëshirë e 22-vjeçarit të realizohet në terma afatshkurtër.
Në prag të kualifikueseve kontinentale, trajneri Josip Kuzhe po vazhdon punën për të krijuar grupin e lojtarëve që do të përfaqësojë vendin tonë në Europian.
Një prej detyrave të kroatit është edhe rinovimi i skuadrës, duke ndërthurur eksperiencën e Beqajt, Lalës, Skelës, Bogdanit apo Duros me të rinj të talentuar, të cilët do të shndërrohen në elementë të rëndësishëm të së ardhmes. Reparti që duket se nuk do të vuajë nga “kalimi i stafetës” duket se do të jetë sulmi. Përveç Kapllanit e Salihit që janë pjesë e rëndësishme e fazës ofensive, por edhe Elis Bakajt, i cili është i përhershëm në skuadër, kandidatët nuk mungojnë. Ahmed Januzi, i cili pret të debutojë në dy miqësoret e ardhshme kundër Malit të Zi (më 25 maj) dhe Andorrës (më 2 qershor), Bekim Balës dhe Edgar Canit, i është shtuar edhe Besian Idrizaj. Lojtari i lindur në Austri, në afërsi të Vjenës nga prindër kosovarë, ka shprehur dëshirën që t’i bashkohet kontingjentit të Kombëtares. Sulmuesi ende nuk ka komunikuar drejtpërdrejt me zyrtarët e FSHF-së, apo me trajnerin Kuzhe, por ia ka komunikuar një fakt të tillë personave që kanë kontakte të forta në “qeverinë” e futbollit. Në harkun e pak orëve, synimi i Idrizajt do t’i transmetohet presidentit Armand Duka, që nga ana e tij do angazhojë drejtuesin e stolit për të menaxhuar situatën. Qëllimi është që 22-vjeçari të ketë sa më shpejtë që të jetë e mundur një shans në përfaqësuese, ndoshta që dy miqësoreve të radhës, të cilat do të luhen në Podgoricë dhe në Tiranë. Afrimi i tij do të ishte mjaft pozitiv për të rritur konkurrencën në sulm, e cila në mënyrë të pashmangshme do të rriste alternativat dhe cilësinë.
Top Channel