Trafiku i makinave, pesë persona nën hetim

28/04/2010 08:45

Një Audi Q 7 e trafikuar nga Gjermania ka vënë në prangat e policisë tre persona: një maqedonase, një kosovar dhe një banor të qytetit të Elbasanit.

Burimet e policisë së Korçës pohojnë se janë ndaluar: Beate Angelova nga Maqedonia, kosovari Hektor Beqiri dhe shtetasi Endri Kuci nga Elbasani. Sipas policisë, tre personat janë ndaluar në pikën kufitare të Qafë-Thanës, pasi udhëtonin me një Audi Q7, i cili ishte marrë nga Gjermania dhe do të shitej në tregun shqiptar.

Pasi kishte kaluar Maqedoninë, mjeti do të sillej në Tiranë nga të tre shtetasit. Ata janë kapur në kushtet e flagrancës në pikën e kalimit kufitar dhe menjëherë është bërë ndalimi i tyre dhe sekuestrimi i mjetit. Ndërkohë, në Elbasan, pasditen e së hënës ka nisur procedimi penal për 25-vjeçarin A. Nako, pasi iu gjend dhe sekuestrua një automjet tip “Wolksvagen-Caravello”, me targa EL 7257 A, i cili figuron i vjedhur më datë 2 janar të vitit 1999 në qytetin e Peruxhias në Itali.

Në të njëjtën ditë kanë nisur hetimet për 43-vjeçarin G.Celibashi, pasi iu gjend një mjet tip “Benz” me targa EL 3818 B, i cili figuron i vjedhur më datë 2 prill 2003 në shtetin italian. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA