Testimi i mësuesve, të kualifikuarit, rritje page

28/04/2010 08:30

Pas testimit që kaluan mësuesit e arsimit parauniversitar, duhet të presin rreth dy javë deri në afshimin përfundimtar të rezultateve.

Sipas Ministrisë së Arsimit rreth datës 15 të muajit maj do të publikohen të dhënat për pikët minimale dhe maksimale të mësuesve të testuar. Pas një jave do të përfundojë korrigjimi i testeve nga specialistët e ngarkuar me këtë detyrë, ndërkohë që më pas do të vijojë procesi i sekretimit dhe procedurave të tjera të parashikuara.

“Janë regjistruar në testime 2500 mësues dhe 2400 janë futur në proces. I gjithë procesi është zhvilluar në Tiranë dhe janë përfshirë të 13 drejtoritë arsimore. Para testimit ka qenë kriter edhe dorëzimi i një portofoli ku mësuesit parashikohej të paraqesin një plan mësimor, objektivat e një kapitulli dhe një plan projekti kurrikular”, sqaroi kryetarja e komisionit te kualifikimit, në Ministrinë e Arsimit, Dorina Rapti.

Sipas saj, u paraqitën në procesin e testimit 2365 mësues dhe munguan 106. Sipas legjislacionit mungesat justifikohen, për çdo arsye objektive, ndërkohë që ata që nuk do të marrin pikët minimale të kualifikimit do të jenë të detyruar të përsërisin provimin vitin e ardhshëm. Plotësimi i saktë i portofolit përfshinte plot 12 pikë. Ndërkohë që mësohet se 46 mësues nuk e kanë dorëzuar këtë portofol, kriter i kërkuar para zhvillimit të testit.

Të gjithë ata mësues që kanë përfunduar masterin kanë 15 pikë bonus, ata të cilët zotërojnë informacion për teknologjinë dhe informacionin, përfitojnë po 15 pikë bonus. Instituti i Zhvillimit të Arsimit është kujdesur për menaxhimin e procesit të testimit, ndërkohë që përcaktimin e “piketave” dhe drejtimin e ka pasur nga Ministria e Arsimit.

“Në testim kanë marrë pjesë tri kategori mësuesish. Ata që deri më 31 dhjetor të 2009 kanë mbushur plot 5 vjet punë, 10 vjet pune dhe 20 vjet pune. Kualifikimi i tyre shërben jo vetëm për të paraqitur certifikatën e vlerësimit të arritjeve në vendin e punës, por njëkohësisht edhe për rritjen e pagës”, sqaroi Rapti. Sipas saj, në bazë të vjetërisë në punë dhe nëse mësuesit në test janë kualifikuar mbi pragun minimal të pikëve, do të realizohet edhe rritja e pagës.

Mësuesit me pesë vite punë, përfitojnë 5 për qind rritje. Po ashtu sipas legjislacionit në fuqi, mësuesit me 10 vjet punë që kualifikohen përfitojnë 10 për qind rritje. 20 për qind rritje të pagës, përftojnë mësueset që kanë 10 vjet vjetërsi në punë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA