Sheshi, ndryshim të lëvizjeve me makinë

28/04/2010 08:20

Destinacione të reja për lëvizjen e lirë në kryeqytet. Të gjithë drejtuesit e automjeteve në Tiranë, duhet të kenë parasysh se nga dje është ndaluar kalimi i automjeteve në qendër, konkretisht në sheshin “Skënderbej”.

Pas testimit që iu bë  trafikut një javë më parë me mbylljen e sheshit “Skënderbej” për disa minuta, bashkia vijon projektin për devijimin e lëvizjes drejt qendrës. Ndërhyrja këtë herë është bërë në Rrugën e Kavajës dhe vetëm në njërin krah.

Makinat që ngjiteshin nga Rruga e Kavajës tashmë do të duhet të anashkalojnë qendrën dhe lëvizja e tyre do të bëhet vetëm në të djathtë. Ndryshimet e lëvizjes në Tiranë për të evituar qendrën do të bëhen hap pas hapi. Çdo devijim do të jetë i studiuar si për qarkullimin ashtu edhe parkimin e automjeteve. Para disa ditësh bashkia ndryshoi lëvizjen në disa akse të tjera të Tiranës, në zonën e Bllokut, si dhe hoqi parkimet anës rrugës “Mine Peza” dhe Abdi Toptani, pranë Drejtorisë së Burgjeve.

Deri në përfundimin e unazës së qendrës lëvizja në shesh nuk do të mbyllet plotësisht, megjithatë sugjerohen drejtuesit e automjeteve që t’i shmangen qendrës për t’u mësuar gradualisht me këtë lloj lëvizjeje.

Me urdhër të bashkisë është devijuar lëvizja nga sheshi i automjeteve që vijnë nga Rruga e Kavajës. Tashmë të gjithë drejtuesit e automjeteve që përshkonin bulevardin “Zogu I”, nuk mund të hyjnë më në sheshin “Skënderbej”, por duhet të kthehen në rrugën “Ded Gjo Luli” pas Muzeut Kombëtar. Nëse drejtuesit kërkojnë të kalojnë në Rrugën e Dibrës, tani u duhet të kthehen te rruga pas Bankës së Shqipërisë, pranë selisë së Partisë Socialiste. Sakaq, para katër ditësh vendosjen e sinjalistikës së re për të mundësuar lëvizjen në qendër të Tiranës dhe në rrugët që do t’u ndryshohet kahu i lëvizjes.

Bashkia prej disa ditësh ka nisur planin e masave për sistemimin e trafikut si pasojë e punimeve në sheshin “Skënderbej”. Ku veç tabelave sinjalizuese vertikale, ka vënë në punë edhe policinë bashkiake për të ndaluar automjetet për të hyrë në shesh, ose të atyre që parkojnë në vende të ndaluara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA