Karburantet, Shoqata: Shmanget abuzimi me cilësinë

28/04/2010 08:05

Biznesi, anëtar i Shoqatës së Hidrokarbureve në vend është pro planit të Ministrisë së Financave për të rritur nivelin e akcizës për disa nënprodukte të naftës, duke i unifikuar në nivelin e 37 lekë për litër.

Drafti i hartuar një muaj më parë u ka shkuar për mendim disa ministrive të linjës dhe që pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave, parashikon futjen në listën e produkteve që paguajnë akcizë disa lëndë djegëse, që deri më sot kanë shërbyer si përzierës të naftës apo benzinës, duke spekuluar me cilësinë.

“Për sa u përket hidrokarbureve, të cilat lehtësisht përdoren nga spekulantët si zëvendësues të naftës dhe benzinës në tregun e karburanteve, jo vetëm që mbështesim rritjen e akcizës, por do të propozonim që ajo të mos ishte më e ulët se 50 lekë për litër për gjithë llojet e gazoilit me përbërje të squfurit me tepër se 350 mg/kg.

Po kështu edhe për vajgurin, vajrat e rënda që përdoren si lëndë djegëse si solar, mazut etj., vajrat lubrifikantë, gjithë hidrokarbureve aciklike dhe ciklike. Ndërsa për naftën vergine akciza të mos jetë më e ulët se 70 lekë/litër”, ishte deklarata e presidentit të shoqatës, Luigj Aliaj. Sa i takon rritjes së kostos për disa industri që përdorin solar apo mazut, shoqata deklaron e qetë se nuk do të ketë asnjë impakt pasi, “me anë të mekanizmave ekonomikë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, lehtësisht, mund të kryejë rimbursimet në ata sektorë që i kanë të nevojshme t’i përdorin këta elementë, duke justifikuar rimbursimin me prodhime dhe shërbime që ata sektorë deklarojnë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA