Durrës, bllokohet ndërtimi i paligjshëm në shkollë

28/04/2010 08:35

Një ndërtim pa leje në territorin e një prej shkollave të mesme të qytetit bregdetar ka vënë në lëvizje Drejtorinë Arsimore dhe Inspektoratin Urbanistik e Ndërtimor të Durrësit.

Zaptimi i sipërfaqeve të lira të tokës dhe shpresat për të përfituar nga procesi i mbyllur i legalizimit kanë bërë që në një territor bashkiak të nisë hedhja e themeleve për një objekt të ri nga një subjekt privat. Ende pa u harruar situata e krijuar në oborrin e Fakultetit Ekonomik në Tiranë dhe protestat e studentëve të tij për ndërtimin e një godine private, një rast i ngjashëm paraqitet në Durrës.

Themelet për ndërtimin e objektit janë hedhur në zonën që dikur shërbente si bazë prodhuese për shkollën profesionale të Durrësit, ndërsa aktualisht është tokë e dhënë në përdorim nga Bashkia e Durrësit. Megjithëse ndodhet fare pranë Drejtorisë Rajonale Arsimore Durrës dhe shkollës së mesme të përgjithshme “Leonik Tomeo”, dhe asaj profesionale “Hysen Çela”, krerët e arsimit janë vënë në dijeni nga banorë të lagjes dhe kanë nisur verifikimin e situatës dhe më pas i janë drejtuar organit përkatës për të bërë verifikimet ligjore mbi objektin dhe ndërtuesin.

Drejtoresha e Drejtorisë Rajonale Arsimore Durrës, Ermira Bllani, tha për se me t’u vënë në dijeni, i ka kërkuar informacion drejtorisë së shkollës profesionale “Hysen Çela”, e cila konstatoi ndërtimin në themele. Më pas me anw tw një shkrese zyrtare, DAR-ja i kërkoi ndërhyrje Inspektoratit Urbanistik dhe Ndërtimor të Durrësit.

Kreu i këtij inspektorati, Gentian Bejko, thotë se me të marrë njoftimin mbi ndërtimin e objektit, shërbimet janë dërguar për verifikim dhe kanë bërë bllokimin e punimeve ndërtuese që po kryheshin nga një banor i lagjes. Ndërkohë, drejtuesja e Arsimit në Durrës, Ermira Bllani, thotë se DAR ka qenë vazhdimisht e interesuar për të pasur në përdorim këtë pjesë që dikur u përkiste aseteve të saj, por bashkia ia ka dhënë një privati për ta shfrytëzuar.

Nuk bëhet e ditur se si toka truall që i është dhënë dikujt, pa i ndryshuar destinacionin, të shfrytëzohet nga dikush tjetër për ndërtim, ndërsa strukturat dhe organet përkatëse do e kishin lënë jashtë vëmendjes objektin që do të hidhte katet, sikur fakti të mos denoncohej nga banorët e zonës.

“Prej katër vitesh, Drejtoria Arsimore është në tratativa me bashkinë. Fare mirë ky territor që ndodhet ngjitur me shkollën mund të kthehet në funksionin e dikurshëm, në shërbim të shkollës së mesme profesionale dhe nevojave të saj, po kemi marrë përgjigje negative. Pavarësisht nevojave për më shumë sipërfaqe në shërbim të sistemit arsimor, ne nuk kemi mundur ta zotërojmë këtë, ndërsa mësojmë që dikush tjetër kërkon të ndërtojë në një tokë publike”, thotë Bllani. Durrësi prej vitesh ka mungesa të theksuara në toka publike për të ndërtuar objekte të infrastrukturës arsimore, si shkolla e kopshte.

I pyetur për këtë situatë të krijuar në ish-bazën prodhuese të shkollës së mesme, kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, deklaron se toka nuk mund të zaptohet nga ndonjë dhe ndryshe nga pretendimet e DAR-it për përgjigje negative për këtë tokë publike, pohon se nuk ka asnjë kundërshtim për marrjen e saj në përdorim nga autoritetet e arsimit, për qëllime që kanë lidhje me edukimin e brezit të ri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA