Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian të mbledhur në Luksemburg, nuk patën kohë për të diskutuar, ashtu siç pritej, mbi liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën.
Por, ata që kishin marrë nismën e diskutimit që nuk u mbajt, kryediplomatët e Sllovenisë dhe Italisë, kanë rishpërndarë një letër, ku mbështesin heqjen e vizave për dy vendet e rajonit.
Samuel Zhbogar dhe Franko Fratini rikujtojnë deklaraten e përbashkët të Parlamentit dhe Këshillit, vitin e kaluar, për shqyrtimin e këtij proçesi si çështje “urgjente”. Sipas tyre, organet përgjegjëse të Këshillit Europian duhet të punojnë në kohë për t’i krijuar mundësinë Komisionit që të publikojë rekomandimin e tij në fund të muajit maj. Me gjithë mbështetjen dashamirëse, një afat i tillë nuk i ndryshon asgjë axhendës aktuale të këtij proçesi.
Sipas dy ministrave të jashtëm, “debati politik për heqjen e vizave që do të bëhet në mbledhjen e Ministrave të Brendshëm të BE-së në qershor, do t’i krijojë mundësinë Parlamentit që të mbyllë punën e tij në fillim të vjeshtës”.
Letra e këtyre dy ministrave konfirmon dhe axhendën e parashikuar nga ESI për heqjen e vizave në rastin më të mirë, në fund të vjeshtës, pasi pas votimit në parlament, vendimin përfundimtar do ta marrin ministrat e brendshëm europianë.
Megjithatë, Zhbogar dhe Fratini “inkurajojnë Presidencën spanjolle që në takimin e 2 qershorit në Sarajevë të shprehë gatishmërinë për të shpallur rrugën e qartë përpara për liberalizimin e vizave me Bosnjën e Shqipërinë”, por pa caktuar afate të qarta kohore.
Kjo është letra e tretë që dy kryediplomatët italianë e sllovenë dërgojnë ndaj Këshillit, Komisionit dhe Parlamentit, pas atyre të publikuara në shtator dhe nentor të vitit te kaluar. Në dallim me ato të mëparëshme, në letrën e fundit inkurajuese mungon vetëm formulimi për liberalizimin e vizave brenda gjysmës së parë të vitit 2010.
Top Channel