Këtë sezon turistik do të ketë më shumë hapësira për plazhe publike, ndërsa do të dyfishohet tarifa për plazhet private.
Deklarimi është bërë nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, gjatë inspektimit të punimeve të Ndërmarrjes Komunale të Plazhit për pastrimin e brezit ranor nga leshterikët dhe mbeturinat.
Nga 3 plazhe publike që ishin lënë vitin e kaluar dhe që gjerësisht u zaptuan dhe ato nga privatët, këtë sezon turistik është menduar që të caktohen katër hapësira për plazhe publike, ku çdo pushues mund të shfrytëzojë rërën dhe të vendosë çadrën e vet pa pasur nevojën të paguajë për këtë.
Ndërkohë është dyfishuar tarifa për plazhet private. Kjo do të çojë më shumë të ardhura në arkën e bashkisë, por pritet të reflektohet edhe në xhepat e pushuesve ditorë, të cilët mund të përballen me tarifa më të larta shërbimi për çadrat dhe shezlongjet.
Këtë herë rritja e çmimit për këto shërbime do të arsyetohet me rritjen e tarifës për plazh privat, që bashkia u ka bërë subjekteve.
Top Channel