Cigaret, ligji i ri djeg kontrabandën

27/04/2010 08:30

Komisioni i parlamentar i veprimtarive prodhuese miratoi dje projektligjin e paraqitur nga Ministria e Financave, sa i takon procedurës që duhet ndjekur për mallrat e kapura kontrabandë, specifikisht për duhanin dhe produktet e tij.

Me ligjin aktual ishte krijuar një ngërç ku shmangej Drejtoria e Rezervave të Shtetit sa i takon grupit që merr pjesë në procedurën e asgjësimit të cigareve.

Nisur nga ky ligj, drejtoria, në varësi të Ministrisë së Brendshme nuk lejonte djegien e mallit, duke krijuar stoqe të mëdha me duhan në magazinat e shtetit, të cilat qëndrojnë prej 8 vjetësh.

Tashmë, me projektligjin e ri, futet edhe Rezerva e Shtetit në grupin e punës, duke i hapur rrugë djegies. Vetë Ministria e Financave pranon se ka pasur disa variante sa i takon mundësisë për ta shitur në ankand cigaren kontrabandë, por ka dalë në përfundimin se rrezikohej ligjërimi i evazionit.

Një tjetër opsion ishte shitja e cigareve për një rreth të shkurtër kategorish, si ushtrisë apo të burgosurve, me një çmim modest, por as ky variant nuk u pranua, duke vendosur asgjësimin total të mallit.

Aktualisht, vetëm duhani dhe produktet e tij kontrabandë digjen, ndërsa për mallrat e tjerë ndiqet procedura e ankandit. Projektligji ishte miratuar javën e kaluar edhe në Komision të Ekonomisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA