Berisha, “ters” me fluturimet

27/04/2010 19:40

Duket se kryeministrit Berisha nuk po i ecën mirë me fluturimet ajrore. Pak ditë pasi u detyrua të udhëtojë qindra kilometra me makinë për t’u kthyer në Shqipëri pas bllokimit në Bruksel nga hiri vullkanik, kryeministri është detyruar të ndërpresë një tjetër fluturim dhe të udhëtojë sërish me makinë drejt Tiranës.

Por këtë radhë për më pak se 100 kilometra. Top Channel ka mësuar se gjatë rrugës së kthimit nga Kosova pas ceremonisë për nisjen e punimeve të autostradës së re, pasditen e të dielës, helikopteri që transportonte kreun e qeverisë shqiptare ka bërë një ulje të detyruar në aeroportin ushtarak të Gjadrit në Lezhë.

Ulja ka vënë në alarm të gjithë Gardën e Republikës dhe repartin e Farkës. Menjëherë në Gjadër ka mbërritur eskorta që ka siguruar transportin e kryeministrit në rrugë tokësore për në kryeqytet.

Burime të sigurta thanë për Top Channel se helikopteri ka dhënë sinjalin e alarmit, ndërsa ndodhej mbi zonën e Pukës.

Një nga sinjalet spiune të sistemit të motorit ka lajmëruar për defekt dhe menjëherë, për të mos rrezikuar avari më të rëndë, pilotët kanë bërë ulje të detyruar.

Pak pas largimit të kryeministrit në Gjadër ka mbërritur një ekip teknikësh me një automjet të bardhë me targa të huaja.

Ata kanë verifikuar se shkak i sinjalit për defektin ishte prania e grimcave metalike në sistemin e transmesionit.

Pas riparimit, helikopteri është larguar pasditen e së hënës nga aeroporti i Gjadrit për në drejtim të kryeqytetit.

Në pistën e aeroportit në vendin ku helikopteri qëndroi për 24 orë ndodhet një njollë e konsiderueshme vaji e derdhur, e mbetur pas punimeve të teknikëve me helikopterin.

Helikopteri për shërbimet VIP është i llojit A109C Hirundo. Pjesë e regjimentit të helikopterëve 3340 në Farkë të Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA