Vizat, Meta e Basha: Plotësuam kushtet

26/04/2010 16:15

Një ditë pas publikimit të raportit të Komisionit Europian me vlerësimet për katër blloqet e udhërrëfyesit për vizat, qeveria shqiptare deklaron se i ka plotësuar kriteret dhe pret një vendim pozitiv për liberalizimin.

Ministri i Jashtëm Ilir Meta deklaroi se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha, të cilat nuk mund të anashkalohen.

“Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm. Jemi të bindur se velrësimi do të jetë pozitiv. Edhe pas heqjes së vizave, ne do vazhdojmë të ecim në drejtim të plotësimit të kritereve, sepse kjo do jetë pjesë e procesit të integrimit evropian të vendit”, ka pohuar Meta.

Edhe ministri i Brendshëm Lulzim Basha është shprehur se në bazë të plotësimit të kritereve, Tirana zyrtare pret një vendim të shpejtë dhe pozitiv.

“Përsëris atë që tha komisionerja Malstrom, se Shqipëria ka bërë progres solid në plotësimin e kritereve dhe presim një vlerësim pozitiv për heqjen e vizave. Ky propozim do vijë vetëm si rezultat i performancës tonë. Komisionerja Malstrom më garantoi se do përpiqet që KE të mos ketë vonesa në dorëzimin e opinionit tek Parlamenti Evropian”, ka nënvizuar Basha.

Ministri i Brendshëm ka ftuar mediat që të mos bien pre e atyre mashtrimeve, që sipas tij bëhen për qëllime të pastra politike.

“I bëj thirrje mediave që të mos bien pre e atyre që dëshirojnë të marrin peng procesin vital të heqjes së vizave dhe ta vënë para protestave që kanë paralajmëruar”, ka theksuar Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA