Më pak se një javë nga protesta e paralajmëruar e socialistëve në kryeqytet, Edi Rama ka dalë derë më derë për të bindur njerëzit të marrin pjesë në të.
Në Shkozë, një lagje periferike e Tiranës, ai është përballur me ankesat e shumta të banorëve, duke u ofruar si zgjidhje 30 prillin.
“Jam nisur të marr ilacet me një pension qesharak”, i është ankuar një grua e moshuar Ramës, i cili i ka kthyer këtë përgjigje: “Hajde në datën 30 me dhëndër, me nuse, me djem për të protestuar”.
Kryetari i PS është takuar edhe me banorë të tjerë, të cilët i shprehën pakënaqësinë e tyre për situatën e rëndë ekonomike në të cilën ndodhen.
“Marr 70 mijë lekë pension, s’më del, jemi të varfër. Ta hiqni me forcë, se ai s’merr vesh me të butë”, është shprehur një banor.
“Forca paqësore, por me rezistencë, atje në rrugë dhe jo në shtëpi”, i është përgjigjur Rama.
Partia Socialiste akuzon qeverinë se ka refuzuar transparencën e zgjedhjeve. Që nga ky moment, sipas kryetarit Rama, qeveria është bërë e papërgjegjshme përballë qytetarëve.
Top Channel