Prokuroria e Krimeve të Rënda ndaloi në dalje të gjykatës dëshmitarin Eqerem Kazazaj, i cili përgjatë një ore mohoi cdo gjë që kishte thënë më parë për njohuritë e tij për bandën e Durrësit, si dhe shitjen e një makine që rezulton të jetë përdorur në vrasjen e shtetasit Viron Curri.
Eqerem Kazazaj akuzohet për dëshmi të rremë pasi ndryshe kishte deklaruar para oficerëve të policisë gjyqësore dhe ndryshe para gjykatës.
Dëshmitari tha se nuk e njihte Lul Berishën dhe as Marsel Sotirin, ndërsa në deponimin e mëparshëm kishte thënë të kundërtën.
Dëshmitarit, të cilit i janë vrarë tre vëllezër, tha në gjykatë se nuk dinte të kishte shitur ndonjë makinë tek ndonjë person, duke i mbyllur kështu rrugën prokurorisë për të mbrojtur argumentin se makina që u përdor për vrasjen e shtetasit Viron Curri përdorej nga banda.
Prokurori u përpoq gjatë procesit t’u kthehej në forma të ndryshme të njëjtave pyetje, por dëshmitari përgjigjej shkurt dhe me fjali mohuese.
Për vrasjen e Viron Currit ka dëshmuar edhe i ati i të ndjerit Thoma Curri. Dëshmitari tha se kishte dëgjuar nga persona të tretë që të birin ia kishte vrarë banda e Durrësit, por kur prokurori e pyeti se kush i kishte thënë ai u luhat duke theksuar njëherë emrin e nënës se Marsel Sotirit dhe njëherë se e kishte mësuar nga media.
I vetmi që ka folur deri më tani për atë që prokuroria e quan banda e Durrësit është vetëm Adriatik Coli.
Top Channel