Plazhet, vullnetarët kundër ndotjes

26/04/2010 16:40

Në prag të sezonit turistik, plazhi i Shëngjinit është i pushtuar nga mbeturinat, kryesisht ato plasitke.

Të hedhura luginave të lumenjve e të derdhura në det nga rrjedha e ujit, deti i ka rikthyer në breg për të na treguar se koston e kësaj ndotjeje do ta paguajmë vetëm ne.

Ky plazh ishte edhe stacioni i parë i korpusit të vullnetarëve për këtë sezon. Mbi 200 vullnetarë nga qytete të ndryshme, si dhe nëpunës së komunës Shëngjin, u organizuan të dielën në pastrimin e këtij plazhi.

“Është një lëvizje shoqërore që ka zgjedhur punën për të reaguar ndaj kësaj situatë absurde. Ndotja është një cështje shëndetësore dhe ekonomike”, ka deklaruar anëtari i korpusit, Mentor Kikia.

Nxënës, studentë dhe nëpunës nga Tirana, Shkodra, Lezha e Durrësi i janë bashkuar korpusit të vullnetarëve në këtë levizje.

Të vetëdijshëm për nevojën e ndryshimit të kësaj situate, vullnetarët apelojnë duke punuar vetë së pari.

“Të rinjtë kanë nevojë të ndihmojnë shoqërinë e tyre, duke pastruar vendin ku bëhet plazhi dhe duke sensibilizuar të tjerët se aksione të tilla janë të nevojshme”, është shprehur vullnetarja Dorina Bilbili.

Rreth 5 kilometra plazh u pastrua, duke larguar nga brezi ranor dhe pylli i pishave pranë tij qindra thasë me mbeturina.

Megjithëkëtë, më shumë se një aksion pastrimi, kjo fushatë konsiderohet nga drejtuesit e kësaj lëvizjeje si një formë proteste ndaj heshtjes së organeve shtetërore dhe mungesës së edukatës qytetare, me pasoja shumë të rënda për mjedisin tonë të përbashkët.

“Është e domosdoshme të pastrojmë plazhet sepse vijnë shumë turistë. Ata nuk duhet ta gjejnë plazhin kështu sepse nuk është në dobinë tonë”, ka deklaruar një vullnetar tjetër.

Drejtues të korpusit të vullnetarëve thonë se keto aksione do të vazhdojnë jo vetëm për të ndihmuar në higjenizimin e zonave turistike, por edhe për të përcuar tek të gjithë mesazhin e mbajtjes pastër të mjedisit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA