Kutitë, Rama: S’heqim dorë nga zbardhja e krimit

26/04/2010 19:25

Kryetari i PS, Edi Rama gjatë fjalimit të tij në protestën e opozitës në qytetin e Durrësit ka deklaruar se e majta nuk do të tërhiqet kurrë nga kërkesa e saj për hapjen e kutive.

Rama është shprehur se heqja dorë nga kjo kërkesë do të thotë të lësh të pazbardhur një krim të rëndë, që shërben si precedent për zgjedhjet e tjera.

“Opozita vazhdon të këmbëngulë për hapjen e kutive. Tanimë gjithë populli e di se Berisha i ka grabitur votat, por ndoshta tani ka ardhur koha që t’i lëmë pas kutitë. Por nëse e bëjmë këtë lëmë një krim të pazbardhur dhe një mekanizëm korrupsioni që do ta tjetërsojë sërish votën. Pas kësaj do të vijë degradimi i mëtejshëm i cdo gjëje në vend”, ka pohuar Rama.

Lideri i opozitës ka hedhur kritika ndaj qeverisë edhe për situatën ekonomike në të cilën ndodhet vendi, duke e vënë theksin tek faturat afrofe që u vijnë qytetarëve.

“Situata po bëhet gjithmonë e më keq. Faturat vijnë gjithmonë e më të larta dhe kur shqiptarët ngrenë zërin, qeveria u thotë shkoni ankohuni në gjykatë. Dhe vetëm para pak ditësh e ka bërë 120 mijë lekë një seancë gjyqësore. Si mund ta cojë cështjen në gjyq një pensionist? Kështu me radhë shtrihen të gjitha të këqijat që po hyjnë në familjet shqiptare pas zgjedhjeve të 28 qershorit”, ka nënvizuar Rama.

Më tej kreu i socialistëve ka kritikuar edhe projektet e qeverisë për qytetin e Durrësit, duke theksuar se ato po bëhen në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve.

“Qyteti i Durrësit përballet me dy kërcënime të mëdha, një tec që është jashtë cdo standarti dhe një port jashtë dëshirës dhe nevojës së qytetit. Si ndodh kështu, që këto gjëra dhe shumë të tjera të bëhen jashtë vullnetit të popullit? Kur qeveria i merr votat edhe kur s’ia japin, ajo është vetëm një grup njerëzish që kërkon vetëm përfitime”, ka shtuar Rama, duke ftuar të gjithë që të jenë të pranishëm në protestën e 30 prillit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA