Bizneset që gjobiten nga dogana kanë të drejtë që te ankohen ne gjykate pa qenë të detyruara ta parapaguajnë plotësisht atë, por duke paguar vetëm 40 për qind të gjobës.
Gjykata Kushtetuese me një vendim të datës 23 prill ka rrëzuar kodin doganor në pikën ku detyronte bizneset që përpara se të ankimonin gjobat e vendosura nga dogana në gjykatë të paguanin pervec detyrimit, por dhe gjobën e plotë.
Kodi ekzistues doganor parashikon se bizneset e gjobitura nga autoritetet doganore mund ta ankimojnë gjobën fillimisht në Drejtorinë e përgjithsme të doganave, me kushtin që të parapaguajnë 40 për qind të gjobës, dhe nëse edhe në doganë ankimi i tyre rrëzohet atëherë mund t’i drejtohen gjykatës, por duke parapaguar edhe pjesën e mbetur prej 60 për qind përpara se cështja të merret në shqyrtim.
Burime zyrtare nga Gjykata Kushtetuese thane se kushti i vendosur në nenin 289, pika 5 të Kodit Doganor për pagimin e gjobës për të pasur akses në gjykatë përbën një kufizim jo proporcional që bie ndesh me nenin 17 të Kushtetutës.
Kjo do të thotë se tashmë bizneset e gjobitura do e ankimojnë fillimisht vendimin në Drejtorinë e përgjithshme të doganave, duke paguar 40 për qind të gjobës dhe pasi merret vendimi kanë të drejtë që ta cojnë cështjen në gjykatë, pa qënë të detyruara të paguajnë pjesën e mbetur prej 60 për qind të gjobës.
Sipas burimeve nga Gjykata Kushtetuese, nga vendimi përfitojnë edhe ato biznese që janë aktualisht në proces gjyqësor me doganat për këtë rast juridik, ndërkohë që vendimi nuk ka fuqi prapavepruese për cështjet e ngjashme që tashmë janë mbyllur.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese u mor pas një rasti kur një gjykatës në Pogradec i këkroi këitj institucioni intepretim të pjesës së kodit doganor për gjobat, pasi dy biznesmenë ishin gjobitur nga doganat po nuk lejoheshin sipas kodit të ankoheshin ne gjykatë nëse nuk shlyenin të plotë gjobën që në rastin konkret kalonte disa fish detyrimin.
Top Channel