Fier, zbardhet sipërfaqja e tokës së lënë djerrë

25/04/2010 08:30

Gati 10% e tokës bujqësore të  Qarkut të Fierit ka mbetur djerrë, ndërkohë që kanë nisur procedurat e para për dhënien me qira të saj.

Shifrat publikohen nga Sektori Këshillimor në Drejtorinë e Bujqësisë së Fierit, pas një kontrolli të zhvilluar nga specialistët në të gjitha komunat që përfshin Qarku i Fierit.

“Bëhet fjalë për një sipërfaqe të madhe toke, e cila klasifikohet si tokë e kategorisë së parë dhe të dytë për nga cilësia. Ajo është e gjitha sipërfaqe toke që nuk është përdorur, jo vetëm për shkak të braktisjes nga ana e fermerëve, por edhe si pasojë e konflikteve mes dy palëve. Myzeqeja ka tokë të përshtatshme për shumicën e kulturave bujqësore, por duhet pranuar se ka edhe sipërfaqe toke të lënë djerrë. Masa prej 10% e tokës së papunuar e kthyer në shifra përkthehet në afro 11.8 mijë hektarë, çka do të thotë që është një sipërfaqe shumë e madhe”, ka thënë Et’hem Bitaj, përgjegjës i Sektorit Këshillimor në DRUBMK-në e Fierit.

Me qëllim eliminimin apo zbutjen e ndonjë konflikti në rast ndërhyrjeje, për të marrë me qira këto toka të papërdorura, Drejtoria e Bujqësisë së qarkut ka orientuar komunat që të nisin një aksion sensibilizimi për punimin e tokave bujqësore. Konfirmohet se ky aksion do të zgjasë disa javë deri dhe në dy muaj. Pas kësaj fushate sensibilizuese, specialistët e bujqësisë do të hynë në negociata me pronarët e këtyre sipërfaqeve të papunuara me qëllim marrjen me qira. Nëse toka që do të merret me qira, do të përdoret për mbjellje bujqësore, atëherë sipas ligjit afati i kontratës do të jetë 10 vjet.

“Nëse toka do të përdoret për blegtori, atëherë afati i kontratës do të jetë 30 vjet dhe nëse do të përdoret për vreshtari, pemëtari dhe ullishta, atëherë kohëzgjatja e qirasë do të jetë deri në 90 vjet. Kjo zgjatje kontratash mund të frikësojë fermerët që e kanë lënë tokën deri tani pa punuar dhe mund t’i shtyjë ata për t’u marrë me të”, ka thënë Et’hem Bitaj. Ndër komunat që kanë sipërfaqe të papërdorura dhe kërkesa për marrje me qira janë Kuta dhe Fratari në Rrethin e Mallakastrës, Cakrani, Levani dhe Frakulla në Rrethin e Fierit si dhe në Komunën Rremas të Rrethit të Lushnjës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA