Prurjet e Drinit të Zi, vazhdojnë të mbeten në kuota maksimale, e për pasojë të paktën 15 shtëpi dhe rreth 10 hektarë tokë të fshati Gjoricë, në Bulqizës, vazhdojnë të jenë të përmbytura nga uji.
Dalja e ujërave të Drinit jashtë shtratit të rrjedhjes së tij, ka ndodhur në lagjen e Gjoricës së Poshtme, ku më të goditur janë banorët e fisit Jella dhe Ballie. Banorët ngrenë shqetësimin se tashmë që është momenti i mbjelljeve të pranverës, tokat e tyre janë të mbuluara nga uji dhe nuk dinë se deri kur do të vazhdojë kjo situatë.
Ndërkohë, ata janë përpjekur që me shpenzimet e tyre të mund të ngrenë prita për frenimin e ujit. “Prurjet e këtyre ditëve kanë qenë të mëdha dhe për pasojë lumi ka dalë nga shtrati i tij, duke çarë edhe digën e ndërtuar në këtë pjesë të Drinit, vetëm para gati dy vitesh”, thonë banorët.
Ndërkohë që ata shtojnë se rritja në kuota maksimale e prurjeve të Drinit, ka ndodhur nga hapja e portave të shkarkimit në hidrocentralin e Spilesë në Dibër të Madhe të Maqedonisë. Ndërkohë, një situatë e tillë ka alarmuar banorët e gjithë fshatit, pasi Drini rrezikon të dalë nga shtrati duke çarë argjinaturën në hyrje të Gjoricës së Sipërme, gjë që do të çonte në përmbytjen e gjithë fshatit.
Top Channel