Vizat, KE vëzhgim shtesë për Shqipërinë

24/04/2010 08:40

Raporti i ekspertëve të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave u heq mundësinë shqiptarëve dhe boshnjakëve të lëvizin pa viza përpara verës.

Vendimi i mundshëm mund të merret vetëm në muajt e fundit të këtij viti. Ky është konstatimi që u bë dje nga reporterja e Parlamentit Europian për vizat, Tanja Fajon.

“Është e mundur që ekspertë të tjerë do duhet të vizitojnë Shqipërinë, çka do të thotë padyshim më shumë kohë, ndaj ne nuk do të mund të përfundojmë këtë procedurë përpara pushimeve të verës”, u shpreh Fajon për “Balkan Insight”.

Sipas saj “është shumë e rëndësishme që autoritetet të vazhdojnë të punojnë fort, sepse kemi përpara muaj vendimtarë dhe duhet ruajtur përgjegjshmëria”.

Megjithatë, Fajon shpreson se Brukseli do të çojë përpara propozimin legjislativ për liberalizimin e regjimit të vizave dhe do të kërkojë përmbushjen e kushteve shtesë përpara se të jetë përmbyllur procesi i plotë i liberalizimit.

“Unë pres që komisioni të bëjë rekomandimin për liberalizimin e vizave për dy vendet, por kjo varet nga çështjet e mbetura pezull dhe se u takon autoriteteve vendase që të finalizojnë punën që kanë për të bërë”, këmbënguli Fajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA