Të hënën detajet e mitingut të PD

24/04/2010 08:20

Grupi i punës i ngritur mes Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Punës për festën masive që do të zhvillohet në Tiranë më datë 1 maj, do të vendosë të hënën edhe detajet e këtij organizimi.

Burimet bëjnë të ditur se deri tani është përcaktuar fakti se ky koncert do të mbahet në sheshin “Nënë Tereza” dhe në të do të marrin pjesë me mijëra simpatizantë të mazhorancës nga të gjitha rrethet e vendit.

Si rezultat i kësaj pjesëmarrjeje të madhe pritet që koncerti festiv i datës 1 maj të ketë në përbërje dhjetëra këngëtarë të mirënjohur në vend dhe po kështu grupe apo muzikantë të huaj.

Nga ana tjetër duket se përveç vendosjes së detajeve të organizimit të këtij aktiviteti, mazhoranca do të sigurohet edhe për vendosjen e forcave të shumta të rendit në pjesën që ndan sheshin “Skënderbej” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kjo për faktin se opozita ka deklaruar se protestën e saj të datës 30 prill në bulevardin kryesor, do ta zgjasë deri në datën 1 maj.

Protesta e PS-së dhe festa e PD-së në të njëjtën ditë mund të ketë problemet e saj, për shkak të organizimit të tyre në një distancë të vogël ndarjeje nga njëra-tjera dhe për shkak të pjesëmarrjes së simpatizantëve të zjarrtë të palëve në këto aktivitete.

Por Kryeministri Berisha ka theksuar se zhvillimi i këtyre aktiviteteve në të njëjtën ditë nuk është asnjë problem për rendin dhe qetësinë publike.

Të njëjtën gjë tha dje edhe kryetari i opozitës, Edi Rama, sipas të cilit nuk përfytyrohen përplasjet e dhunshme, ndonëse është paralajmëruar mosbindja civile.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA