Strasburgu ngre komitet për Shqipërinë

23/04/2010 00:55

Parlamenti Europian rishikon qëndrimin e tij për krijimin e nënkomitetit BE-Shqipëri. Ashtu siç Top Channel kishte lajmëruar deri më sot, Kreu i Delegacionit Europarlamentar për Ballkanin Eduart Kukan tregoi se formimi i kësaj strukture është detyrim i hyrjes në fuqi të MSA-së.

Por korrigjimin,  Parlamenti Europian do ta bëjë në mes të legjislaturës së tij.

“Si rezultat i hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri, një komitet i përbërë nga anëtarë të shtëpisë sonë dhe parlamentit shqiptar duhet të formohet. Një grup i tillë pune mund të diferencohet në të ardhmen e afërt në një delegacion të posaçëm. Fjala ‘mund’ nënkupton mesin e legjislaturës, kur strukturat e parlamentit riorganizohen”, deklaroi kreu i Delegacionit të PE-së për Ballkanin, Eduard Kukan.

E njëjta gjë, sipas Kukan do të krijohet dhe me Malin e Zi pas 10 ditësh, kur parashikohet të hyjë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit.

Deri në krijimin e strukturës së re, për Shqipërine do të funksionojë nënkomiteti nën çadrën e Delegacionit Europarlamentar për Ballkanin, që përbëhet nga 14 deputetë. Takimi i parë me deputetët shqiptarë mbahet në 3 dhe 4 maj në Bruksel.

Top Channel