Shqipëria bën lëvizje ambasadorësh

23/04/2010 08:15

Diplomacia shqiptare përfshihet nga ndryshime në përfaqësimin e vet jashtë vendit.

Përfundimi i misioneve nga disa ambasadorë ka vënë në lëvizje procedurat e zëvendësimit që prekin një sërë vendesh me rëndësi për marrëdhëniet e Shqipërinë me Europën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Austria, Bosnjë-Hercegovina, India, Hungaria, Bullgaria, Rumania dhe Çekia janë adresat e ndryshimeve në përfaqësim.

Shumica prej tyre presin tanimë firmën e kreut të shtetit, Bamir Topi, për të filluar punën.

Në këtë kuadër edhe dje, Komisioni Parlamentar i Punëve të Jashtme ka zhvilluar një seancë dëgjimore me dy kandidatët për ambasadorë në Greqi dhe Bosnjë-Hercegovinë, respektivisht Dashnor Dervishi dhe Flamur Gashi.

Dy emrat lënë pas një vend vakant në Bukuresht, si dhe postin e drejtorit të Diasporës në Ministrinë e Jashtme që krijojnë kështu nevojën e plotësimit.

Ndryshimi i përfaqësimit në Athinë është me rëndësi, pasi ambasadori i tanishëm, Vili Minarolli, i ardhur nga politika shkon në Austri për t’i lënë vendin një diplomati karriere.

Ndërkaq, lëvizjet në diplomaci do të përfshijnë edhe ambasadën tonë në Uashington, ku aktualisht në detyrë është Aleksandër Sallabanda, i dekretuar në këtë post si një kandidaturë politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA