Rama: Ekonomia rrezikon falimentimin

23/04/2010 13:25

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama shprehu sot shqetësimin për gjendjen alarmante ku është futur sistemi ekonomik i vendit, duke akuzuar pushtetin aktual si përgjegjës, jo vetëm për krizën financiare, por edhe të demokracisë në vend.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Rama bëri me dije konstatimin e fundit, se Shqipëria ka një borxh dy herë më të madh se të ardhurat që arrin të realizojë.

“Futja në borxhe për të larë borxhe është një spirale që na con në një rrugë pa krye. Nëse nuk ndryshon skema, atëherë ekonomia po shkon drejt falimentimit total”, u shpreh Rama, duke theksuar se socialistët kanë një vizion dhe ide tërësisht të ndryshme për politikat ekonomike që duhet të ndjekë Shqipëria.

Duke folur për protestën e 30 prillit, kreu socialist theksoi se në fundjavë do të ketë përshkallëzim të betejës qytetare për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve.

“Berisha dhe pushteti i dalë nga vota e grabitur të mos bëjë shurdhin dhe qorrin përballë të vërtetës së madhe, se ky vend nuk mund të kthehet në një mbretëri të pashpallur, ku pasuritë e përbashkëta trajtohen si asete në funksion të pasurimit të një grushti njerëzish”, u shpreh Rama.

Kreu i PS-së theksoi se në rast se politika e shurdhërisë do të vazhdojë të jetë përgjigjja për kërkesën e opozitën, atëherë përpjekjet do të vazhdojnë pa u ndalur përmes forcës së arsyes përballë një pushteti që funksionon mbi arsyen e forcës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA