Dekreti i djeshëm i Presidentit të Republikës për falje të plotë ose të pjesshme dënimi për 367 të dënuar, është përcjellë gjerësisht në media, edhe për faktin se mes tyre ka 45 të dënuar për Krime të Rënda apo dy ish-bosë të fajdeve.
Në këto kushte Drejtoria Juridike e Institucionit të Presidentit të Republikës ka dalë sot me një sqarim për procedurën ligjore të ndjekur. Sipas njoftimit zyrtar, falja është një e drejtë kushtetuese e kreut të shtetit, që mbështetet në Kushtetutë dhe në Kodin Penal. Për dekretin e djeshëm të faljes, më i gjeri i bërë në tre vjet nga presidenti Topi, njoftimi zyrtar sqaron, se ka pasur propozime të shumta të organeve të pushtetit vendor dhe të institucioneve si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Avokati i Popullit, Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, etj.
Zyra Ligjore e Presidentit thotë se është bërë një vlerësim i kujdesshëm për plotësimin e kritereve ligjore dhe disa kritereve të veçanta. Si p,sh qenia i mitur në kohën e kryerjes së veprës penale, gjendja e rënduar shëndetësore dhe mosha e thyer, si edhe fakti se disa të dënuar, sidomos gra, ishin nëna të fëmijëve të mitur, një pjesë e të cilëve kishin mbetur pa kujdesin prindëror të asnjërit prind.
Njoftimi zyrtar sqaron se është marrë parasysh gjithashtu edhe referimi i bërë nga ana e institucioneve përgjegjëse mbi edukimin dhe rehabilitimin social të të dënuarve, të cilët kanë bërë të qartë se këta persona me sjelljen, punën dhe veprimet e tyre kishin provuar se me vuajtjen e dënimit e kishin përmbushur qëllimin për edukimin dhe rehabilitimin shoqëror.
Përsa u përket dy të dënuarve Vehbi Alimuça dhe Fitim Kërxhaliu, zyra juridike bën kujdes të sqarojë se ndaj tyre, sipas propozimit të bërë nga organet e pushtetit vendor dhe referimit nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, është aplikuar falje e pjesshme e dënimit dhe se ata do të vazhdojnë të vuajnë pjesën e mbetur të dënimit në burg, sipas vendimeve përkatëse gjyqësore.
Top Channel