PE, debat per lirinë e medias

23/04/2010 20:00

A e dini se ç’mendojnë përfaqësuesit e shtetit shqiptar për median në vend?

“Ata mund të ofendojnë këdo dhe ne, administrata nuk lejohet që t’i çojë ata në gjykatë, për të provuar të paktën nëse ata kanë të drejtë apo gabohen”, është shprehur ambasadorja e Shqipërisë në Belgjikë dhe misionit pranë BE-së, Mimoza Halimi.

Këtë përgjigje dha ambasadorja Mimoza Halimi kur u pyet nga eurodeputetja holandeze e grupimit të djathtë në Parlamentin Europian mbi lirinë e shprehjes në Shqipëri.

“Po lexoj mbi situatën e medias dhe jam kurioze të di se cfarë kanë për të thënë dy folëset mbi lirinë e shprehjes që garantohet me ligj, por media është përmendur për ndikimet e qeverisë dhe që Reporterët pa Kufi e radhisin Shqipërinë jo përkrah shteteve europiane, por disi ndërmjet Emirateve të Bashkuara dhe Senegalit, me të dhëna të ulëta mbi lirinë e medias. Ndaj pyetja ime konkrete ndaj ambasadores është cilat janë arsyet për këtë e çfarë hapash konkrete mund të merren nga qeveria për të përmirësuar lirinë dhe pluhralizmin e medias, duke mbajtur parasysh natyrisht që kjo është pjesë përbërëse e funksionimit të duhur të demokracisë?”, deklaroi  eurodeputetja holandeze e PPE-së, Marietje Schaake.

“Sa për t’ju treguar, sot në media pati artikuj që ambasadorja e Shqipërisë është në Strasburg për të prezantuar një material prej 6 faqesh, ndaj parlamentarëve, përgatitur nga ne, në mision për t’ju bindur juve për liberalizimin e vizave, çfarë nuk është fare e vërtetë. Ata kanë ngatërruar qëllimin e këtij takimi dhe vetëm takimin. Kështu që kjo është e drejta e tyre që të shkruajnë, po, por atje mbeten gjëra për t’u bërë. Së pari duhet rritur profesionalizmi i tyre, i gazetarëve, e së dyti, ka shumë për t’u bërë mbi pronësinë e medias, për njerëzit që rrinë pas mediave, në mënyrë që të bëhet sa më e paanshme që të jetë e mundur, çfarë përbën një qëllim shumë të vështirë për t’u realizuar, por që duhet punuar”, përgjigjet Halimi.

Ndërsa ambasadorja Halimi akuzonte median se ka gënjyer, në faqen zyrtare të Parlamentit Europian, por dhe në dosjen që ju është shpërndarë eurodeputetëve përpara takimit, përfshihej dokumenti i përgatitur nga ambasada shqiptare mbi informacionet shtesë për proçesin e liberalizimit të vizave.

Top Channel