Berisha: Gati të thellojmë raportet me Rusinë

23/04/2010 08:25

Shqipëria është e gatshme të ofrojë një klimë pozitive për zgjerimin e pranisë ruse në investimet ekonomike.

Takimi i djeshëm mes Kryeministrit Sali Berisha dhe ambasadorit të ri të Federatës Ruse në Tiranë, Leonid Grigorievich Abramov ka vënë theksin në nevojën e thellimit të marrëdhënieve dypalëshe ku sipas gjasave prioritet për Moskën mbetet prania e munguar ekonomike.

Si pikënisje për këtë hapje diplomatike dypalëshe është nënvizuar bashkëpunimi i suksesshëm në fushën e arsimit, i cili krijon një premisë të mirë edhe për intensifikimin e dialogut politik që thuajse mungon fare.

Turizmi, energjetika, por edhe infrastruktura janë disa fusha ku Rusia ka interes për të investuar, ashtu sikurse është parë të ndodhë në vendet fqinje këto vitet e fundit.

Kërkesat e vazhdueshme ruse për përmirësim dhe thellim marrëdhëniesh janë vënë re edhe në prezantimin e ambasadorit shqiptar në Moskë, ku ai u njoh me një vlerësim personal të Presidentit Medvedev sa i përket rolit të Shqipërisë në rajon.

Ky gjykim nuk ka munguar edhe në telegramin e urimit që Kryeministri Vladimir Putin i ka dërguar Berishës me rastin e rizgjedhjes në detyrë, ç’ka jep të kuptojë se Moska e ka lënë pas ngarkesën historike në marrëdhëniet dypalëshe. Në Tiranë, Abramov zëvendëson ish-ambasadorin Aleksandër Prishchepov.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA