Shkupi provokon Tiranën

22/04/2010 20:15

Zonja Blagorodna Mingova-Krepieva është në fund të mandatit të saj si ambasadore e Republikës së Maqedonisë në Tiranë. Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup ka menduar ta zëvendësojë me Vele Trpevskin, këshilltar në një nga seksionet e punës të Kuvendit të Maqedonisë.

Vele Trpevksi ka lindur më 30 shtator të vitit 1981. Pra është vetëm 28 vjec. Përpara se të fillonte punë në administratën e Kuvendit të Maqedonisë në vitin 2007, zoti Trpevksi punonte si ndihmës-menaxher në qendrën kulturore maqedonase në Sterling Heights, në Michigan të Shteteve të Bashkuara.

Ai është diplomuar për ekonomi në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë dhe në Macob Community College, në Detroit të Michiganit. Flet maqedonisht, bullgarisht, serbo-kroatisht, shqip, anglisht e italisht.

Me kthimin e tij në Maqedoni, zoti Trpevksi është angazhuar në forumin rinor të VMRO-DPMNE-së, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Mesa duket kjo ka mjaftuar që ndonëse pa asnjë përvojë diplomatike të promovohet direkt ambasador në një vend të rëndësishëm për Maqedoninë, në Shqipëri.

Kandidatura e Vele Trpevskit ka mbërritur në Tiranë në mes të muajit mars. Protokolli i shtetit në Ministrinë e Jashtme të Tiranës, sipas procedurave në fuqi, ia ka kaluar dosjen SHISH-it dhe presidentit Bamir Topi.

Duhet që ky i fundit të japë pëlqimin e tij, që zoti Trpevksi të mund të akreditohet si ambasador i Maqedonisë në Tiranë.

Presidenca shqiptare e ka mbajtur të fshehtë këtë fakt, në mënyrë që emri i ambasadorit të ri të mos tërhiqte vëmendjen e mediave shqiptare dhe maqedonase gjatë vizitës zyrtare që presidenti Bamir Topi bëri në Shkup javën që shkoi.

Por analistët thonë se zgjatja e përgjigjes nga presidenti Topi është shenjë e mospajtimit me këtë kandidaturë, që nga Tirana zyrtare vlerësohet si tepër rinore.

Top Channel