Qeveria preferon parfumet, u heq taksën

22/04/2010 09:35

Qeveria shqiptare po mendon të lehtësojë barrën fiskale për një kategori produktesh që lidhen me pjesën estetike të njeriut.

Bëhet fjalë për parfumet, niveli i të cilave me akcizë sot është 60 për qind e vlerës, ndërsa Ministria e Financave propozon heqjen e kësaj takse, gjë që ndikon në çmimin e këtyre produkteve.

“Propozohet që të hiqen mallrat e parfumerisë dhe kozmetike, si produkte me akcizë, për arsye se vetëm tre vende si Rumania, Kroacia dhe Danimarka i kanë të tilla produkte me akciza. Vendet fqinje të rajonit nuk i kanë të tilla produkte me akcizë dhe në këtë mënyrë mund të shmanget edhe hyrja e këtyre produkteve kontrabandë nga këto vende”, argumenton Ministria e Financave.

Sipas saj, efekti negativ në të ardhurat vjetore është 44 milionë lekë. Drafti është përgatitur këto ditë dhe i është dërguar për mendim ministrive të linjës.

Po ashtu, projektligji i ri për akcizat, që parashikon të tjera ndryshime, do të kalojë për diskutim edhe në Këshillin Konsultativ të Biznesit, pranë Ministrisë së Ekonomisë.

Aktualisht për kategorinë  e produkteve parfume, ujëra tualeti dhe deodorante, aplikohet një masë takse si akcizë prej 60 përqindësh e vlerës.

Me heqjen e kësaj takse, logjikisht çmimet e parfumeve në treg duhet të ulen me 60 për qind, duke i dhënë fund blerjeve me porosi te miqtë apo vet në duty free shop-et e aeroporteve.

Nga të dhënat zyrtare të doganave, gjatë pesë viteve të fundit (2005-2009), importi i parfumeve në vlerë, por edhe në volum ka ardhur në rritje. Nga viti në vit, ritmi i rritjes është i ulët, por gjithsesi tendenca është pozitive.

Për vitin 2009, vlera e importit të parfumeve arriti në afërsisht 4 miliardë lekë ose rreth 6,000 tonë. Sipas importuesve, shitjet e parfumeve kanë shënuar rritje me rreth 10 për qind nga 2008-a.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA