
Deputeti i PD, Edi Paloka ka bërë përgjegjës Edi Ramën, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, për kaosin e krijuar në sheshin “Skëndërbej”.
Gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare, Paloka është shprehur se kryeqyteti ka një problem serioz me kryetarin e bashkisë së tij, që është njëkohësisht edhe lideri i opozitës.
“Edi Rama u paralajmërua se bllokimi i trafikut të makinave në shesh do të sillte vetëm kaos. Nuk është nevoja të jesh specialist për ta kuptuar këtë. Por pikërisht kjo e bën të rrezikshme atë që ndodhi dje. Sikur një i cmendur të kishte dalë në mes të bulevardit, njerëzit do të qeshnin dhe do vazhdonin rrugën. Por kur ky njeri është kryetari i bashkisë, apo lideri i opozitës, situata ndryshon”, ka pohuar Paloka.
Sipas tij, Rama po vepron në këtë mënyrë për të plotësuar kapricot e tij, të cilat synojnë të pengojnë proceset integruese të Shqipërisë.
“Zoti Rama nuk dëgjoi askënd, as policinë rrugore. Ajo që ndodhi dje nuk ka të bëjë vetëm me bllokimin e disa makinave, por me papërgjegjshmërinë e kryetarit të bashkisë, i cili për tekat e tij është gati të pengojë edhe liberalizimin e vizave. Më e keqja është se brenda opozitës s’ka se kusht t’i vërë fre cmendurive të tij”, ka shtuar Paloka.
Top Channel