Meta: Rama i shmanget debatit

22/04/2010 15:10

I dalë para mediave për të raportuar për ministerialin e NATO-s në në Talin të Estonisë, ministri i jashtëm Meta nuk i shpëtoi politikës së ditës. (UPDATE)

I pyetur të komentojë përgjigjen kryesocialistit Rama ndaj ftesës së kryeministrit Berisha për debat, ministri Meta u përgjigj se Rama i shmanget përgjithmonë debatit.

Zoti Meta pati më shumë fjalë për të komentuar vizitën e tij në Talin. Në takim u diskutua për Afganistanin, të ardhmen e politikës bërthamore të NATO-s dhe mbrojtjen raketore, në kuadër edhe të hartimit të Konceptit të ri Strategjik të NATO-s dhe zgjerimin e Aleancës

“Një nga vendimet më të rëndësishme të këtij Ministeriali, për të cilin edhe diplomacia shqiptare ishte e angazhuar intensivisht prej disa muajsh, ishte ftesa për Bosnje Hercegovinën për t’ju bashkuar procesit të MAP-it (Plani i Veprimit për Anëtarësim), që konsiderohet si një paradhomë për anëtarësim të plotë në Aleancë. Prej kohësh, edhe si vend anëtar i NATO-s, ne kemi mbështetur aspiratat integruese euroatlantike të Bosnje Hercegovinës. Duke argumentuar se procesi i zgjerimit të NATO-s në Ballkan me Shqipërinë dhe Kroacinë është ende një proces i papërfunduar, ne kemi shprehur në vijimësi qëndrimin e Shqipërisë në favor të përfshirjes edhe të Bosnjes në Planin e Veprimit për Anëtarësim të NATO-s, pas vendimit për Malin e Zi dhjetorin e kaluar, pasi kjo do t’i shërbente forcimit të mëtejshëm të sigurisë e stabilitetit në Ballkan”, u shpreh Meta.
 
Sipas ministrit Meta Shqipëria ka demonstruar në këtë vit të parë të anëtarësisë së saj në NATO se është një kontribuese dhe anëtare e denjë e Aleancës. Kjo sipas tij do të konfirmohet edhe gjatë vizitës që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, do të realizojë javën e ardhshme në Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA