Jepet me koncesion miniera e Kalimashit

22/04/2010 09:10

Një konsorciun që përfshin një kompani kineze dhe një turke, pritet të nënshkruajnë sot një marrëveshje koncesioni me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për bllokun minerar të Kalimashit dhe Vlahnës, ku ekzistojnë burime të njohura kromi.

Kompanitë kanë kryer bisedime paraprake dhe jopublike me ministrinë gjatë muajve të fundit dhe sipas tyre, është arritur në një marrëveshje koncesioni që do të nënshkruhet sot.

“Qeveria shqiptare do t’i japë bashkimit të shoqërive aksionere të drejtat e përdorimit dhe të zhvillimit të mëtejshëm të burimeve të kromit në Kalimash dhe Vlahnë që ndodhen në veri të vendit”, njoftoi dje njëra prej kompanive.
 
Kompleksi minerar i Kalimashit mbart xeherore kromi me pastërti rreth 20 për qind. Ajo është shfrytëzuar gjatë kohës së komunizmit, por gjatë viteve ‘90, për shkak të largësisë së madhe nga bregdeti, si dhe rënies së çmimit të kromit në treg ndërkombëtar, miniera u shpall disa herë e falimentuar.

Në vitin 2000, qeveria e kaloi kompleksin minerar “në konservim”, me besimin se miniera qe tepër e mirë për t’u shkatërruar dhe jo aq e mirë për t’u vënë në punë.

Me ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, problemi i largësisë nga deti duket se është zgjidhur. Nuk ka të dhëna për gjendjen financiare të koncesionmarrësve.

Ministria e Ekonomisë ka lëshuar aktualisht disa dhjetëra kontrata koncesionare për shfrytëzimin e burimeve minerare. Por blloku minerar i Kalimashit qe blloku i fundit i rëndësishëm ende i padhënë me koncesion. Detajet e kontratës koncesionare janë ende të panjohura.

Shqipëria eksportoi vitin e kaluar rreth 50 milionë euro mineral kromi. Kina qe blerësi kryesor. Tregu ndërkombëtar i kromit kontrollohet në masën 90 për qind nga vetëm pesë vende prodhuese.

Shumica dërrmuese e kompanive të prodhimit të metaleve zotërojnë edhe burimet e veta të kromit dhe për këtë arsye, shitja e këtij minerali në tregun ndërkombëtar është shumë i vështirë. Por gjatë viteve 2007 dhe 2008, uria e madhe e Kinës për lëndë të para krijoi treg edhe për kromin shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA