Gjyqi, qeveria paguan avokatin e “trenit”

22/04/2010 09:40

Pas humbjes së gjyqit me “General Electrics”, qeveria po bën gati faturën e shlyerjes së dëmit.

Por më parë duhet të mendojë për avokatin e çështjes, që kërkon hakun e punës, edhe pse procesi doli me dështim.

Me vendimin e marrë dje, Këshilli i Ministrave vendosi që buxheti i Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit të pësojë ndryshime, duke i shtuar një fond prej rreth 5 milionë lekësh të reja.

“Fondi shërben për detyrimin ndaj studios ligjore ‘Grimaldi & Associatti’, për përfaqësimin e mbrojtjen në Gjykatën e Apelit, Romë, në çështjen gjyqësore ndërmjet ‘General Electrics’, Athena S.P.A, vs, kundër Republikës së Shqipërisë”, saktëson vendimi.

Fondi do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe ngarkohen Ministria e Punëve Publike dhe Transportit e Ministria e Financave për zbatimin e tij.

Pala shqiptare ishte në gjyq prej pesë vitesh me kompaninë amerikane, e cila kishte lidhur një kontratë 90 milionë dollar me qeverinë socialiste për ndërtimin e trenit elektrik Tiranë-Rinas-Durrës.

Me ardhjen në pushtet të të djathtëve, kontrata u anulua, duke e çuar çështjen në gjyq, të cilën ne e humbën dhe ku duhet t’i paguajmë amerikanëve tashmë një dëm prej 20 milionë dollarësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB