Shqiptarët që jetojne në Greqi do të kenë të bëjnë me një tjetër ambasador shqiptar, që premton se do t’i ketë në qendër të vëmendjes.
Ambasadori aktual Vili Minarolli do të lëvizet drejt Vjenës. Në vend të tij në Athinë është emëruar Dashnor Dervishi. Diplomat karriere prej 30 vjetësh, zoti Dervishi shërben aktualisht si ambasador në Bukuresht. Në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme, ai tha se objektivat e tij do të kenë parasysh tre faktorë: Greqinë si anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Europian, Greqinë si një partner të rëndësishëm ekonomik dhe financiar të Shqipërisë dhe shtetasit shqiptarët që rrojnë në vendin fqinj.
“Do t’i kem në qendër të vemendjes dhe ata do të shërbejnë si urë lidhëse mes dy vende tona”, u shreh Dervishi.
Komisioni i Politikës së Jashtme dëgjoi edhe Flamur Gashin, një ish-gazetar që drejton prej disa vitesh Institutin e Diasporës në Ministrinë e Jashtme. Zoti Gashi është emëruar ambasador në Sarajevë, ku përfaqësia shqiptare hapet për herë të parë.
“Detyra jonë e rëndësishme imediate mbetet ministeriali që do të mbahet në qershor në Sarajevë ku pritet të shpallet liberalizimi i vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën”, u shpreh Gashi.
Zoti Gashi u shpreh gjithashtu shumë optimist se në Bosnjë dhe Hercegovinë mund të gjenden tregje për produktet agro-ushqimore shqiptare. Pas kësaj seance pritet që kandidatët për ambasadorë të dekretohen nga Presidenti i Republikës, përpara se të marrin pëlqimin nga vendet ku janë emeruar.
Top Channel