Bombë sociale apo papunësi?!

22/04/2010 15:00

Shifrat e zyrtare të punësimit janë të mbushura me paradokse. Zyrtarisht Ministria e Punës, thotë se në sektorin privat jo bujqësor në Shqipëri janë të punësuar dhe paguajnë taksa dhe sigurime rreth 235 mijë vetë.

Por për të njëjtin tregues, INSTAT jep një shifër tjetër gati dy herë më të lartë, saktësisht 422 mijë persona.  Nga ballafaqimi i këtyre dy shifrave rezulton se INSTAT, i cili e merr rezultatin duke bërë pyetje direkte permes anketimeve, jep 187 mijë vetë më shumë se sa e dhena e Ministrisë së Punes, e cila e vjel këtë rezultat nga deklarimet e lista e pagesës së sigurimeve shoqërore.

Në këtë pikë, të dhënat kaotike të punësimit që dalin nga vetë agjencitë shtetërore, përvecse cënojnë besueshmërinë e shifrave zyrtare të papunësisë, i imponojnë qeverisë dy variante. Ose të pranojë që papunësia është më e lartë se sa shifra zyrtare që ajo thotë prej 13 për qind, ose  të pranojë se ka dështuar në luftën ndaj informalitetit dhe sot në Shqipëri ka rreth 187 mijë vetë që punojnë në informalitet në bizneset private, të cilët nuk paguajnë as sigurime as taksa.

Nëse varianti i INSTAT është i vërtetë atëherë Shqipërisë po i kanoset  nje krizë, që ekspertet e quajne bombë sociale. Gati 187 mijë veta, që punojnë prej vitesh në sektorin privat, pas disa vitesh do arrijnë moshën e pensionit dhe nuk dihet nese do te mund te perfitojne pagesen e pleqerise. Edhe nëse qeveria do të kishte vullnetin e mirë, per t’i dhene ndihme ekonomike, fondi që do duhej për të asistuar këta 187 mije qytetare, do të trondiste edhe buxhete shumë më të mëdha se sa ai që ka mundësi të bëjë Shqipëria.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA