Ajo që nisi në vitet 1600, si një banjë publike dhe një furrë buke, ndoshta e ka kapërcyer edhe produktin më të ndezur të imagjinatës së krijuesit të vet.

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë dhe aktualisht qyteti me numrin më të madh të banorëve në të gjithë hapësirën shqipfolëse është shndërruar në një venbanim me dendësi aq të lartë banorësh, saqë ende, askush nuk e di numrin e saktë të tyre.

E populluar në vite nga valë të dendura të ardhurish nga të gjitha anët e Shqipërisë, sot Tirana është shndërruar pikërisht prej kësaj popullsie të akumuluar në vite në një lloj Amerike kombëtare, një vend i mundësive të reja dhe një hapësirë ku gjithkush mund të realizojë ose të dështojë në projektin e vet në kërkim të suksesit.

Dëshmitari i fundit i lakmisë drejt Tiranës është një zotëri. Ai quhet Perikli Moso. Është 80 vjeç dhe prej 3 muajsh ka braktisur Durrësin në këmbim të kryqytetit. Sot ai do të shndërrohet dhe zyrtarisht, në një Tiranas.

“Kam ardhur të bëj pashaportizimin. Kam jetuar në Durrës. Kam blerë një shtëpi në Tiranë dhe dua të jetoj këtu”, thotë Perikliu.

Të bëhesh pjesë zyrtare e Tiranës. Nuk të kushton shumë kohë e as para. Perikliu sapo e fitoi këtë të drejtë.

“Urdhëroni zotëri certifikatën. Jeni regjistruar dhe jeni banori i ri i Tiranës”, shprehet një punonjëse e gjendjes civile.

Nga koha e krijimit, kryeqyteti ka njohur disa bume të popullimit të tij. I tillë është ai i vitit 1913, por që kurrë nuk mund të gjejë përngjasim me vërshimin e pas viteve të demokracisë.

“Sipas zyrës së gjendjes civile, Tirana ka sot 610 mijë banorë. Flet për periudhat e bumeve të shpërnguljeve”, thotë Arben Tafaj.

Nëse hamendësojmë se Shqipëria numëron sot afërsisht 4 milionë banorë rezidentë, Tirana dhe rrethinat e saj mbajnë sot rreth 1/4 e popullsisë së saj. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, qarku i Tiranës së madhe bashkë me komuna e saj satelite përbëhet nga 983,901 banorë, ndërsa e gjithë prefektura ku përfshihet edhe Kavaja numëron 868,721 të tillë.

Sipas Arben Tafajt, kryetari i njësisë bashkiake numër 8, e njëkohësisht kreu i shoqatës Tirana, hovi i madh i shpërnguljeve nuk ka ruajtur dot ritmet e njëtrajtëshme të zhvillimit të metropolit.

Ashtu sikurse Perikliu ka zgjedhur një prej zonave më të njohura afër qendrës për të banuar. Adresa e tij e re, është rruga Gjon Buzuku, një prej pallateve të reja ndërtuar së fundmi aty.

E ngjashme me shumë të tjerë, arsyeja e vendosjes në Tiranë edhe për Perikliun ka një motiv të fortë. E ardhmja e fëmijëve të tij këtu përfytyrohet më e sigurt.

“Mendova për fëmijët. Ata do të mbarojnë shkollën e duan të jetojnë këtu. Të gjejnë punë”, thotë Perikliu.

Dhe është pikërisht ajo, puna. Oferta më e madhe e Tiranës me biznesin dhe industritë e saj të reja, ajo që justifikon eksplozionin demografik që ende nuk po ndalet dhe që po e shndërron ish-katundin e dikurshëm, në një metropol të krahasueshëm me simotrat e veta të rajonit.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA