Tiranë, zjarr pranë studiove të Top Channel

21/04/2010 21:40

Tre muaj pas ngjarjes së 19 janarit, kur ambientet e Top Channel u dhunuan, një tjetër ngjarje e rendë ka ndodhur në mbrëmje tek ish-ekspozita ku dhe ndodhen disa nga studiot e TCH.

Persona që dyshohet se kane lidhje me ngjarjen e pak muajve më pare i kanë vënë zjarrin disa objekteve në ambientet ngjitur me ekspoziten, duke rrezikuar sërish jetën e punonjësve që ndodheshin brenda ambjenteve të ish-ekspozitës ku dhe janë studiot e TCH.

Flakët janë vënë re nga një inspektor i zonës, i cili po patrullonte aty pranë. Nëse flakët nuk do të ishin zbuluar që në fillim, atëherë fare mirë ndërtesa do të ishte gjendur brenda pak minutash nën një zjarr të fuqishëm.

Zjarri është fikur nga zjarrfikësit. Për të kryer ekspertimin e vendngjarjes kanë mbërritur ekspertët e policisë, si dhe drejtori i policisë së qarkut Tiranë, Tonin Vocaj.

Policia urdhëroi shoqërimin në komisariat të personave që dyshohen se kanë lidhje me ngjarjen. Kjo ngjarje e rëndë vjen pas një kërcënimi të bërë pak kohë më parë ndaj një subjekti tjetër që ushtron aktivitetin në ambjentin e ekspozitës si qeramarrës.

Policia bën të ditur se personat e mësipërm kanë bërë kallëzim dhe kanë deklaruar se janë kërcënuar me zjarrvënien e objektit nëpërmjet zjarrit apo eksplozivit.

Pas verfikimeve paraprake, drejtoria e policisë së Tiranës shton se në lidhje me këtë kërcënim janë kryer verifikime ndaj personave të dyshuar dhe cështja i ka kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së kryeqytetit.

TCH dënon akte të tilla vandale që rrezikojnë jo vetem investimet e bëra përgjatë këtyre viteve, por edhe jetën e njerëzve që punojnë në këto ambjente.

Për këtë ngjarje të rëndë TCH do t’i drejtohet policisë dhe prokurorisë për të zbardhur sa më shpejt autorësinë e këtyre sulmeve që po ndodhin në raste të përsëritura brenda një kohe të shkurtër.

Është tepër e rëndë dhe e pafalshme që në mes të Tiranës dhe në orare të populluara, persona të tillë guxojnë të sulmojnë një ambient dhe një pronë ku punojnë një numër i konsiderueshëm punonjësish duke rrezikuar jetën e tyre, pavarësisht nëse ky është një institucion i rëndësishëm mediatik si Top Channel apo, një objekt çfarëdo, i kujtdo qytetari tjetër.

Sulmi ndaj një prone apo objekti për më tepër kur është një rast i përsëritur, në mes të kryeqytetit, përbën në çdo kohë një ngjarje të rëndë flagrante, që në çdo shoqëri deomkratike dënohet me forcë dhe ndëshkohet sipas ligjit nga shteti dhe drejtësia.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA