KE, pikëpyetje për vizat

21/04/2010 19:35

Sipas raporti të vlerësimit të Komisionit Europian, me gjithë plotësimin e pjesës më të madhe të kritereve për liberalizimin e vizave, as Shqipëria dhe as Bosnja nuk i kanë plotësuar të gjitha kushtet për të përfituar nga regjimi pa viza.

Dokumenti, i cili u është shpërndarë vendeve anëtare pak ditë më parë, e klasifikon Shqipërinë pas Bosnjes, ashtu sic ishte paralajmëruar deri tani.

TCH mundi të sigurojë pjesën kryesore përmbledhëse të këtij dokumenti tepër konfidencial. “Shqipëria duket se i ka përmbushur masat e bllokut të parë të udhërrëfyesit për vizat, njësoj është edhe Bosnja”, vleresojnë ekspertët për sigurinë e dokumenteve.

Por, vendi ynë mbetet pas Bosnjes në bllokun e dytë që ka të bëjë me emigracionin ilegal dhe riatdhesimin. “Duket se Shqipëria i ka plotesuar në përgjithësi kriteret e përcaktuara. Por, verifikimi i mëtejshëm është i nevojshëm përsa i takon zhvillimit të një strategjie dhe politike për mbështetjen e refugjatëve të riatdhesuar”, thuhet në dokument.

Ne bllokun e tretë të udhërrëfyesit, që ka të bëjë me sigurinë dhe rendin publik, Shqipëria dhe Bosnja barazohen në mosplotësimin e të gjitha kritereve të kërkuara.

“Shqipëria ka plotësuar shumicën e masave. Por, perpjekje të mëtejshme janë të nevojshme në lidhje me forcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe implementimit efikas të kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përfshirë shpërndarjen e burimeve të mjaftueshme financiare dhe njerëzore. Në mënyrë të vecantë, zbatimi i një kuadri të ri ligjor për cështjen e konfiskimit të aseteve kriminale duhet të ndiqet më tej me vendosmëri”, vlerëson Komisioni Europian.

Në bllokun e katërt dhe të fundit, mbi të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet me jashtë, të dy vendet thuhet se kanë plotesuar në përgjithësi kriteret e kërkuara.

Pasi të shqyrtojnë vlerësimin e rifreskuar të Komisionit Europian, vendet anëtare pritet të shtojnë dhe vlerësimet e tyre.

Me të gjitha këto informacione, Komisioni do të përgatisë rekomandimin në fund të majit, per ta publikuar në javën e parë të qershorit.

Sipas burimeve të TCH, ky rekomandim pritet të jetë pozitiv por i kushtëzuar, me dërgimin e misioneve shtesë të ekspertëve për kriteret e paplotësuara ende.

Ky rekomandim do të shqyrtohet nga Parlamenti Europian përpara se t’i kalojë për vendim Këshillit të Ministrave të BE-së.

Sipas të gjitha gjasave, mosplotësimi i të gjitha kushteve nga Shqipëria dhe Bosnja, ridërgimi i misioneve të ekspertëve por dhe vetë procedurat e institucioneve të BE-se vonojnë heqjen e vizave, në rastin më të mirë, deri në fund-vjeshte apo fillim-dimërin e këtij viti, me kusht që të dy vendet dëri atëherë t’i kenë plotësuar të gjitha kriteret teknike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA