
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se efektet e krizës, në rritjen ekonomike të shqipërisë, nuk janë të përkohshme, por do të zgjasin disa vite, në të cilat ekonomia do të ketë ritme të ulëta rritjeje.
Në raportin e titulluar “Parashikimet mbi curinë e ekonomisë globale”, ku analizohet ecuria e ekonomive të rreth 160 vendeve të botës, FMN vlerëson se ekonomisë shqiptare do t’i duhen më shumë se 5 vjet për t’ë dalë nga ritmet e ulëta të rritjes.
Ekspertët e fondit kanë vlerësuar se në vitin 2009, ekonomia shqiptare u rrit me vetëm 2.8 për qind, ndërkohë që për vitin aktual, ecuria e ekonomisë pritet të jetë edhe më e dobët.
Sipas FMN, në 2010 Produkti i Brendshëm Bruto do të rritet me vetëm 2.3 për qind, që është më e ulët mesatarja prej 2.8 për qind që pritet të kenë vendet e rajonit.
FMN vlerëson se ekonomia shqiptare do të ketë një ecuri më të dobët se sa mesatarja e vendeve të rajonit edhe ne vitin 2011, ku parashikohet që rritja të jetë 3.2 për qind, nga 3.4 që vlerësohet rritja në rajon.
Vetëm në vitin 2015, ekonomia sipas FMN do të tentojë të rikthehet në ritmet e rritjes së para krizës, për të arritur nivelin 5 për qind, por edhe ky është sërish më i ulët se sa mesatarja e periudhës 2003-2008.
Në kontekstin global FMN thotë se rigjallërimi i ekonomive të botës nuk do të ketë të njëjtën shpejtësi, ku një pjesë e vendeve po shënojnë norma të larta rritjeje, ndërsa të tjerat kanë ecuri më të dobët.
FMN parlajmëron se pavarësisht se ekonomia botërore ka filluar ta rimarrë veten, asaj po i kanoset një rrezik i ri, që është ai i paqëndrueshmërisë së financave publike nga borxhi i madh.
Top Channel