Hapja e portave të hidocentraleve ka sjellë përmbytjen e tretë për zonën e Nënshkodrës. Qindra hektarë tokë, rrugë dhe shtëpi të mbuluara nga uji është bilanci i këtyre 24 orëve të fundit për situatën në zonën veri-lindore të vendit.
Në komunën e Bërdicës shkarkimi i ujit nga hidrocentralet, përvec shtëpive ka mbuluar edhe rrugën nacionale Shkodër-Velipojë në vendin e quajtur Harku i Bërdices.
“Shtëpinë time e ka mbuluar uji, banorët janë brenda, gjithcka është nën ujë. Jemi në duart e Zotit. Uji ka ardhur gjatë natës, pa na lajmëruar dikush”, deklaron një banor.
Ndërkaq, përmbytje ka pasur edhe në lagjen periferike te Shkodres, “Ajasëm” dhe në fshatin Obot ku disa banorë për shkak të përmbytjeve të tokave kanë dalë të gjuajnë për peshk në fushë.
“Uji erdhi gjatë natës dhe ka hipur me 10 centimetra. Është hera e tretë që na vjen uji. Tani që jemi mbuluar nga uji kam dal për peshk”, tregon një banor tjetër.
Top Channel