“Eventet italiane”, regjisorja Wertmuller në Shqipëri

17/04/2010 01:30

Vazhdojnë aktivitetet e organizuara nga ambasada italiane. Me rastin e 20 vjetorit të Kooperacionit Italian në Shqiperi, është çelur ekspozeja kinematografike “Vështrime italiane”, ku ishte e pranishme regjisorja e njohur e vendit fqinj Lina Wertmuller.

Kjo ekspoze u hap pikerisht me filmin e kësaj regjisoreje “Mimi, metalurgu i prekur në nder”, i cili flet për jetën e një emigranti jugor italian, që transferohet për punë në veri.

“Unë jam një dëshmitare e realitetit që më ka rrethuar dhe vazhdon të më rrethojë edhe tani. Pak a shumë besoj që ky është roli, një sy që shikon shoqërinë dhe e rrëfen nga një këndvështrim. Natyrisht që i imi është pak grotesk. Unë besoj që ironia është një bashkëudhëtare shumë e mirë në jetën e gjithkujt, mbi të gjitha në atë të autorëve”, tha regjisorja Lina Wertmuller.

Duke marrë shkas nga filmi, që flet për emigrimin, ambasadori Saba D’Elia foli për ngjashmëritë edhe në këtë aspekt mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Jeta e Tiranës së sotme të kujton në shumë aspekte atë të Italisë të disa kohëve më parë. Filmi që paraqesim sot është një tregues i ngjashmërive edhe në aspektin social që ekziston mes Italisë dhe Shqipërisë, si p.sh emigrimi dhe problemet e tij në jug të Italisë. Vendi im i parë i punës jashtë shtetit ishte Zvicra dhe asokohe emigrimi italian në këtë vend ishte shumë i madh”, tha ambasadori D’Elia.

Ekspozeja konsiston në shfaqjen e 8 filmave të viteve ’50-’70, që kanë hyrë në historinë kinematografike italiane, të cilat ilustrojnë kuadrin historik italian të asaj periudhe.

Po në këto ambjente gjendet edhe ekspozita me foto të Roland Tashos, që dëshmojnë punë të Kooperacionit Italian në Shqipëri.

“Calimba de luna”, kënga e njohur e viteve ’80 e Tony Esposito-s, ishte një nga pjesët e interpretuara në koncertin që ky artist zhvilloi në TKOB. Në kuadër të eventeve të organizuara nga ambasada italiane.

I shoqëruar nga “Banda e Diellit”, Tony Esposito solli në shfaqjen e tij nëpërmjet një sërë instrumenteve, veçanërisht perkusionit, tinguj nga shumë vende të botës të ndërthurur me ritme tribale, por edhe pjesë napolitane.

Top Channel