Parlamenti “ndez motorët” për zgjedhjet e ardhshme. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u ka kërkuar krerëve të grupeve parlamentare që të nisin bisedimet për atë që ajo e ka cilësuar “ndryshimet në Kodin Elektoral”.
Deklarata është bërë në mbledhjen e djeshme të Konferencës Parlamentare ku është miratuar programi dyjavor i punimeve nga data 12 prill deri më 30 prill.
Takimi i djeshëm është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe gjithçka është bërë me dije me anë të njoftimi të shpërndarë nga zyra e shtypit e Kuvendit.
Në këtë komunikatë theksohet se, “Kryetarja e Kuvendit u kërkoi Kryetarëve të Grupeve Parlamentare, të nisin sa më parë konsultimet mbi modalitetet për të bërë ndryshimet e duhura në Kodin Elektoral, bazuar në rekomandimet e raportit të OSBE-ODIHR-it”.
Ky qëndrim i ri i kreut të Kuvendit, bëhet më shumë se tri javë pas një vendimi të kundërshtuar të Parlamentit për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.
Komision, i cili është kundërshtuar dhe bojkotuar nga opozita, e cila ka akuzuar mazhorancën se ka shkelur procedurat dhe ka dhënë një vullnet negativ për zgjidhjen e krizës politike.
Top Channel