Asgjësimi i fletëve të votimit është praktikisht i detyrueshëm për t’u bërë që këtë verë.
Edhe pse Kodi Zgjedhor nuk rregullon posaçërisht me afate zbatimin e këtij procesi, hallka të ndryshme të tij gjithsesi përcaktojnë kohën e arkivimit të materialit zgjedhor që kushtëzon zbrazjen e kutive.
Në një deklarim për mediat televizive, dje nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, ka sqaruar ecurinë e këtij procesi që ndodhet nën presionin e situatës politike.
“Kodi Zgjedhor ka parashikuar që fletët e votimit asgjësohen pas një vendimi të marrë nga KQZ. Por natyrisht, kodi nuk ka përcaktuar një afat se kur mund të ndodhë kjo gjë. Kjo mund të kondicionohet me një tjetër udhëzim të Kodit Zgjedhor, që bën fjalë për pjesën e dokumenteve, që u shkojnë arkivave të shtetit. Për këtë ka një periudhë 1-vjeçare, për të hapur kutitë e votimit dhe dërgimin e tyre në arkivat e shtetit”, deklaroi Subashi.
Sipas këtij interpretimi, një vit nga mbajtja e zgjedhjeve KQZ, është e detyruar të depozitojë në Arkivin e Shtetit materialin zgjedhor, që dikton me këtë rast asgjësimin e fletëve të votimit.
Top Channel