Qeveria shqiptare duket se po e shqyrton seriozisht idenë për të zhvilluar votim elektronik në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ministri i Shtetit, Genc Pollo, deklaroi dje se qeveria ka infrastrukturën e duhur për ta aplikuar këtë sistem vitin e ardhshëm, gjatë kohës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
“Infrastruktura ekziston dhe nuk është shumë e kushtueshme që në çdo qendër votimi të vendosësh aparate ku me butona mund të votosh për PD, për PS, për partitë të tjera dhe ky rezultat transmetohet live, përmes protokolleve të sigurisë në Komisionin Qendror Zgjedhor, i cili gjithashtu shumë shpejt mund të japë rezultatin final për një kohë shumë të shkurtër”, shpjegoi ministri i Shtetit, Pollo.
Por sipas ministrit të Shtetit, është e nevojshme që në qendrat e votimit në të gjithë vendin të vendosen edhe makinat elektronike, të cilat do të jenë të pajisura me butonat përkatës. Po kështu, ministri shpjegon se përgjatë këtij procesi nuk do të ketë më fletë votimi dhe kuti.
Top Channel