Kreditë për prona rikthehen në normalitet

12/04/2010 09:40

Kreditimi për blerje pronash të patundshme gjatë dy muajve të parë të këtij viti ishte 7.7 miliardë lekë, me rritje 85 për qind kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar dhe vetëm gjysmë miliardi lekë më pak se sa në janar-shkurt 2008, pra para krizës financiare dhe ekonomike botërore.

Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e publikuara nga Shoqata e Bankave.

Vetëm gjatë muajit janar, bankat dhanë 5.2 miliardë lekë kredi të re të destinuar për blerje pronash të patundshme, nga vetëm 2 miliardë që patën dhënë në janar ‘09, kur kriza qe në kulm.

Në shkurt kreditimi në këtë segment ishte ende i dobët, por gjithsesi tendenca e përgjithshme është pozitive.

Kredia e re për prona ishte vetëm 230 milionë euro, nga 600 milionë që pati qenë në vitin 2008.

Rritja e shpejtë e depozitave në banka gjatë muajve të fundit i shtyu këto të fundit t’i rikthehen kredive të parapëlqyera të shqiptarëve, ato të blerjes së pronave të patundshme.

Megjithatë, shumë ekspertë besojnë se duhet të presim edhe disa muaj për të parë nëse ky segment i aktivitetit bankar është kthyer me të vërtetë në normalitet, apo rritja në dy muajt e parë ka qenë thjesht si pasojë e likuiditetit të lartë të sistemit.

Ndërkohë, disa banka i janë rikthyer fushatave publicitare për produktet e kredive për shtëpi, diçka që nuk e kishin bërë për më shumë se një vit. Nga ana tjetër, gjatë muajit shkurt, pjesa dërrmuese e kredisë së re për prona të patundshme u tërhoq nga disa kompani.

Bankat duket se janë veçanërisht të prira për hapjen e kreditimit në këtë kohë, për shkak se shumë prej kredive të dhëna vitet e shkuara po maturohen, gjë që ka krijuar para të lira, të cilat bankat do të duhet t’i përdorin gjithsesi.

Stoku i kredive për shtëpi të tërhequr nga individët mbeti i pandryshuar gjatë muajit shkurt, pavarësisht rritjes së sasisë së kredive të reja të dhëna.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA