Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini deklaron në Tiranë se shpreson që vjeshta e këtij viti t’i mundësojë qytetarëve të Shqipërisë lëvizjen e lirë pa viza në zonën shengen.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, me homologun shqiptar Ilir Meta, Frattini theksoi se objektivi politik është përftimi i një vendimi pozitiv të Komisionit Europian përpara fundit të majit, ndërsa etapa e dytë është shpallja e vendimmarrjes së liberalizimit të vizave në samitin e Sarajevës në 2 qershor.
“Ministrat e Jashtëm europianë mund të marrin një vendim formal për t’i mundësuar lëvizjen e lirë qytetarëve të Shqipërisë dhe Bosnjës pa patur nevojë për viza, në vjeshtë”, u shpreh Frattini.
Shefi i diplomacisë italiane theksoi se rruga e vendeve të Ballkanit Perendimor është drejt Europës, dhe se vendet e rajonit do të kenë përgjegjësi respektive në kuadër të integrimit.
“Shqipëria ka bërë shumë progres në kuadër të integrimit. Italia do të punojë fort që statusi i vendit kandidat për Shqipërinë të merret brenda këtij viti. Dua të theksoj se autoritetet shqiptare kanë shumë punë për të bërë”, u shpreh Frattini.
Top Channel