
Kryen marrëdhënie seksuale me dhunë me fqinjin e mitur, prangoset nga policia 26-vjeçari nga Berati.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, por rasti është denoncuar në polici paraditen e së dielës, çka solli më pas edhe arrestimin e autorit të dyshuar të kryerjes së marrëdhënieve homoseksuale me një të mitur.
Burime zyrtare të Policisë së Beratit bëjnë të ditur se rreth orës 14:00 të së dielës është ndaluar Edison Hoxhallari, 26 vjeç, lindur dhe banues në lagjen periferike “Uznovë”, të këtij qyteti.
Të njëjtat burime saktësojnë se ndalimi i të riut është bërë pasi rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të shtunës dyshohet e ka kryer marrëdhënie seksuale me 12-vjeçarin R.E., banor i së njëjtës lagje.
I mituri i ka rrëfyer gjithçka familjarëve, të cilët mëngjesin e së dielës kanë shkuar në polici për të denoncuar komshiun e tyre.
Ekspertët e policisë kanë nisur hetimet, çka solli dhe prangosjen e 26-vjeçarit.
Ai është ndaluar në banesë, ndërkohë që mësohet se nuk ka pranuar të ketë dhunuar të miturin.
Pritet të zhvillohet vizita mjekoligjore, ndërsa materialet i kaluan prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme.
Top Channel