
Partia Socialiste ka realizuar në periferinë e Tiranës, një nga protestat e saj të paralajmëruara me qellim për të sensibilizar qytetarët e Kodër-Kamzës dhe Laprakës për protestën qendrore të 30 prillit në Tiranë.
Në këto protesta socialistët po ndërthurin kërkesën e tyre për hapjen e kutive me evidentimin e problemeve të tjera të jetës së përditshme, duke bërë përgjegjëse qeverinë e kryeminisrit Berisha për atë që e cilësojnë si krizë të rëndë të ekonomisë së vendit, papunësisë apo mungesës së ujit të pijshëm.
“Protestojmë jo vetëm për hapjen e kutive, të hapen kutitë sepse duke hapur kutitë hapet e drejta dhe rruga e zhvillimit të Shqipërisë. Duke vjedhur votat duan të vjedhin të ardhmen e femijëve tanë, fëmijët që duan një Shqipëria europiane, ne që duam të jemi europiane më dinjitet, të ndershëm, pa korrupsion, pa imoralitet, europianë 24 karat si europianë”, tha në fjalën e tij deputeti socialist Namik Dokle.
Për socialistët këto janë arsye për të larguar qeverinë e kryeministrit Berisha me protestën e 30 prillit në Tiranë.
“E ne pra i themi, ata që janë kundër teje ishin 700 mijë në 28 qershor, tani janë bërë 1 milion, 2 milion do bëhen sepse të gjithë ne do mblidhemi më 30 prill në bulevardin e Tiranës për të thirrur dhe për të realizuar parrulën e Partisë Socialistë “hap kutitë ose largohu” dhe ndal rrënimit ekonomik”, vazhdoi më tej zoti Dokle.
Top Channel