Bulqizë-Peshkopi, prishet rruga e sapondërtuar

10/04/2010 19:15

Një pjesë e rrugës së re Bulqizë-Peshkopi e sapo ndërtuar është shkatërruar për shkak të shembjeve të tokës që kanë ndodhur në segmentin Bulqizë-Ura e Çerenecit, 17 kilometra i gjatë, ndërtuar gjatë vitit të kaluar.

Dëmtimi ka ndodhur në vendin e quajtur fshati Peladhi, rreth 10 kilometra larg qytetit të Bulqizës. Në një distancë prej 50 metrash larg njëra-tjetrës, në këtë segment rrugor, prej disa ditësh u vërrejtën dy plasaritje transversale të rrugës, të cilat erdhën si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut dhe dëborës.

Plasaritjet, të cilat vijnë e thellohen dita ditës, kanë shkaktuar edhe ulje të aksit të rrugës deri ne 20 cm, duke e bërë të vështirë kalimin e automjeteve në të.

Nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve Dibër, bëjnë me dije se gjatë sistemim-asfaltimit të kësaj rruge, firma tenderuese, duke qenë e njohur me strukturën gjeologjike të saj, ka zbatuar me përpikmëri projektin teknik, pikërisht për të frenuar rrëshqitjete këtij segmenti rrugor. Rruga nacionale Peshkopi-Bulqizë, po vjen dhe bëhet e pakalueshme për automjetet dhe mbetet e paqartë se si do të veprohet për rikonstruksionin e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA