Shqipëria, kreditë më të shtrenjta

08/04/2010 15:35

Një raport i fundit i Bankës Botërore, i publikuar vetëm pak ditë më pare, dëshmon se interesat e kredive në Shqipëri janë më të lartat në rajon.

Sipas raportit të titulluar, “Ndërtimi i Konkurrencës në Shqipëri,” thuhet se kostoja e kredive në Shqipëri është më e larta në Europën Qendrore dhe atë Lindore. Të dhënat e publikuara në raport tregojnë se bizneset dhe individët janë ngarkuar me kosto shtesë pikërisht për shkak se bankat në Shqipëri kanë mbajtur fitimet më të larta në rajon. Diferenca mes normës së interesit që bankat aplikojnë për kreditë dhe asaj që ato paguajnë për depozitat është në Shqipëri, plot 3 pikë përqindje më i lartë se vendet e tjera të rajonit.

Normat e interesit mbeten shumë të larta në monedhën vendase lek, dhe pikërisht për shkak të këtyre kostove të larta, kredia në Shqipëri është orientuar në pjesën dërrmuese drejt valutës, që mbetet një risk konstant për shkak të goditjeve të kursit të këmbimit.

Disa ekspertë thonë se normat e larta të interesit që bankat i ngarkojnë biznesit dhe individëve mund t’i atribuohen edhe kërkesës së lartë që ka patur ekonomia për financime. Të dhënat tregojnë se  në që nga viti 2004 kredia për ekonominë ka shënuar bum duke regjistruar norma rritje historike rritjeje, të cilat ranë vetëm vitin e kaluar për shkak të krizës.  

Top Channel